Luljeta Lleshanaku
NUK ESHTE KOHA PER...
NUK ESHTE KOHA PER...
Nuk është koha për ndryshime
Dhe me sa mbaj mend unë
asnjëherë nuk ka qenë një kohë e tillë.
Shtëpia frenon. Mbase gjithçka është kaq e rremë.
Gorricat, unazat, … makina e qumështit, … fëmijët e ngecur
si gjilpërat me kokë
në një xhaketë pa jakë tek rrobaqepësi
që pret për një tjetër provë …
Zakonisht, hemofilia dhe nevoja për ndryshim
trashëgohet në linjë mashkullore.
Burrat mund t’i njohësh vetëm në profil
(si monedhën romake me kokën e Cezarit),
me shikim të ngulur drejt humbjes.
Kurse gratë janë ato,
që nuk harrojnë të ndezin llambën e verandës në mbrëmje
rrethuar nga mushkonjat,
me bindjen se pavarësisht se si,
çfarë është shkruar për të ndodhur, do të ndodhë.