Lindita Arapi
Instrumentale
Instrumentale
kur të kenë mbaruar së rëni gjethet
dhe bryma e mëngjesit të kërcasë nën këmbët e mia,
atëherë
kur njerëzia të qëndrojnë më gjatë
të ngrohen në shtëpi
për të fshehur kështu ndjenjën e humbjes së papërcaktuar
që i bren padashur
tek përgatisin ҫajin e pasdites…
atëherë
kur dera e ballkonit do të mbyllet më herët
e perdet nuk do të përkunden më lehtas
për të zbutur bukurinë e ҫmendur përjashta.
Dikush
Do të mbështesë kokën pas xhamash
Duke i hedhur një sy të trishtuar
Natyrës që i përkëdhelet ftohtësisë,
pastaj për gjithë natën
do të dëgjohet vetëm melodia e erës që merr me vete
e përplas teneqet e coca-colave të flakura në rrugë
në ditën e shkuar.