Luljeta Lleshanaku
E HENA NE SHTATE DITE
E HENA NE SHTATE DITE
I.
Në mes je i shpëtuar – thoshnin latinët.
Mbulesa e qëndisur në mesin e tryezës.
Tryeza në mesin e qilimit.
Qilimi në mesin e dhomës.
Dhoma në mesin e shtëpisë.
Shtëpia në mesin e bllokut.
Blloku në mesin e qytetit.
Qyteti në mesin e hartës.
Harta në mesin e dërrasës së zezë.
Dhe dërrasa e zezë.
Në mesin e hiçit.
Lola është një engjëll. Balli i saj nuk është rritur që kur ishte
tetë vjeç, për të ruajtur të njejtën qendër graviteti. Dhe ajo pëlqen skajet,
qoshet
pavarësisht se veten e gjen gjithmonë në mes të një autobusi
kur njerëzit turren drejt hyrjes dhe daljes.
Fqinjët e mi janë njerëz të pashkollë,
nuk kanë dëgjuar asgjë për estetikën,
dhe zor se kanë lexuar gjë mbi boshtin, simetrinë dhe të
vërtetën absolute.
Por, ata lëshohen instiktivisht drejt mesit
ashtu si koka e burrit lëshohet krejtësisht në prehrin e gruas,
që me një palë gërshërë, pabesisht, deri nesër
do ta bëjë atë më të prekshëm se kurrë.
II.
Lodrat e prishura ishin argëtimi im.
Zebra, karroca kineze e akullores me kurdisje,
që im atë m’i solli dhuratë për Vit të Ri,
asgjë nuk vlenin
ishin si torta me kremin e lëpirë fshehtas në kuzhinë
derisa diçka metalike u thyhej përbrenda
dhe hidheshin tej të panevojshme …
Atëherë ua hapja barqet, ingranazhet mikroskopikë, bateritë
pa e ditur se kisha bërë hapin tim të parë drejt të kuptuarit,
si liri nga funksioni.
Kur për herë të parë pashë një pikturë të vërtetë,
bëra disa hapa mbrapa, instiktivisht, me thembra,
po zgjidhja pikën e vdekjes,
nga ku mund të hyja në brendinë e gjërave.
Ndërsa me njerëzit ishte tjetër gjë,
ata i ndërtova vetë. Njerëzit i desha,
qëllimisht jo deri në fund. Asnjëri prej tyre
nuk preku tavanin e kaltër me kokë,
si shtëpitë e lëna në mes, me një plasmas në vend të çatisë
kur sapo ka filluar vjeshta e lagësht e të kuptuarit.