Luljeta Lleshanaku
ME FATIN E SHKRUAR NË FYTYRË
ME FATIN E SHKRUAR NË FYTYRË
Shoku im i bangës në shkollën fillore
kishte gishta blu, buzët blu dhe një vrimë të pariparueshme blu në zemër.
I shënuar me vdekje. I padukshëm. Ai vetëm ruante rrobat
i ulur mbi një gur, jashtë fushës së lojës,
asaj alkimie djerse dhe pluhuri.
I shënuari për të qenë mbret
është i ftohtë, i gatshëm për një rënie të lire,
i lindur parakohe nga një mitër e palumtur.
Gruaja flokëkuqe që pret përnatë burrin e pirë
do të vazhdojë ta presë kështu edhe njëqind vjet.
Nuk është faji i alkoolit. Ajo ka pritjen t’vulosur në fytyrë.
Dhe ai ndodhet krejt rastësisht në këtë akt
sa spektatori i rastit
që shiu e futi nga rruga në sallë.
Po kështu nuk është faji i luftës që i merr jetën djaloshit
me sy të trishtë. Ai ishte i prerë për listat e rekrutimit.
Melankolia është arsenali bazë i ushtrive.
Kurse ai që është vulosur me mbijetesë
do të vazhdojë të ushqehet me këlyshët e tij, si ariu polar,
pa e marrë kurrë vesh se moti është ngrohur.
Te gjithë të mbyllur si teoremat. Qielli i tyre
është një shtëpi e marrë me qera,
ku nuk mund të ngulësh as edhe një gozhdë më tepër.
Në pritje të një një urdhëri të dytë,
të cilin do ta injorojnë gjithsesi,
me krahët lidhur pas lopatave dhe veshët zënë më dyllë,
si njerëzit e Odiseut, në shtegun e sirenave.