Luljeta Lleshanaku
LAJME TE VONUARA
LAJME TE VONUARA
Në fshatin midis maleve, lajmi vjen një muaj me vonesë.
Gjate rrugës pafajësohet: ai që vdiq shkoi doemos në parajsë,
e një grusht shteti “është vullneti i zotit”.
Përroi mbyt vetminë me vetmi. Imagjinata është rrëshirë
që të mbron nga trupi. Përndryshe, pylli i rëndë i gështenjave dhe burrat e dehur,
gdhihen me shpatulla të ftohta ngjeshur pas murit.
Vajzat preferojnë martesat larg
për të lënë prapa, të paprekur,
bustin e pesëmbëdhjetëvjeçares.
Dhe përtej pesë fshatrave vijnë nuset,
nuset që do të lindin femijë- profetë
midis sanës dhe kashtës në plevicë. Ah, desha të them
vetëm njëri prej tyre do të jetë profet;
të tjerët do të praktikohen për të gjuajtur me gurë
(kjo është gjithashtu pjesë e profecisë).
Në një mesditë vjeshte si kjo,
ata do të dalin nga shkolla si një tufë e trazuar sorrash prej erës se gjakut,
per t’iu vënë pas makines- rrangallë të postës
deri në kthesë, kur ajo të zhbëhet në pluhur.
E pastaj do të shkojnë të vjedhin dardhët e egra në “oborrin e kurvës”
Askush nuk i ndalon. “Grua me dy burra… hak e ka!”
Midis dardhëve të egra në çantë- një roman,
me porosinë për t’u mbajtur mirë. Një “Ana Kareninë”
që do të lexohet me padurim duke filluar nga faqja e fundit,
e pastër dhe e fisnikëruar si një lajm i vonuar.