Agron Tufa
KAFSHA APO FANTAZMA?
âsht pjesa ime e kafshës që më mban njeri.
nuk rrojmë si hije këtij dheu
ndonëse hije kthehemi. herëdokur...
prej së tanës nuk vdes vetëm pjesa,
ai substrat fluid që shumëzohet me spore
n'eterin hakërryes të një kujtese përndjekëse.
kështu do t'i bartim në amëshim,
në disqe fluturuese,
fantazmat ngashënjyese të pengjeve.
djaloshi që ka nisë me u bâ engjull
s'âsht pos mitra e një vorri të ardhshëm ajror
me një ushtri fantazmash kryengritëse.
herët a vonë, ato do shpërthejnë,
ato do mësyjnë
me babëzinë dhe untinë
për hajet e harlisuna tokësore.
mua më mban njeri pjesa ime e kafshës.
i vetëm jam, me untinë e kafshës përbrenda,
rrethuem prej erinive përndjekëse të moralit,
që kërcënon. nganjëherë më aviten miqësisht.
hera-herë ia dal me e ngî kafshën.
po kafsha zgjohet prore me unti të re.
therëse.
pickuese.
kërkon të veproj.
ia zá frymën,
gojën e çapëlyeme,
shkep mish prej vetes -
tan’ pemën e dijes e rrëzoj përtokë...
po kur mor Zot do të lodhet, gjer n’alivani,
në ditët e saj të mbrame
kafsha,
e tok me të dhe unë?
o, deri atëherë,
gjallë kanë me ma ngranë zotin dyshimet...
po sikur të vdes dhe kafsha të jetojë -
kush ka me e ngî kafshën e gjorë?
po sikur të vdesë kafsha, qysh atëherë
kam me e ngî lukuninë me fantazma?
kur mendon kaq gjatë, pështillen të tana
dhe gjallë s'e merr vesh: kush të mban njeri -
kafsha a fantazma?