Agron Tufa
DY VETORE
I dashur mishi juaj i përveçëm,
gatuar kromozomesh të kaltra hëne,
me linja ankthi, qumështi e drite,
me flatrime filmike engjëjsh rreth syve,
me zemër imune si kambanëz kishe,-
bekuar - në stendën muzeale të gjumit
kur sillesh dëshirë e zhveshur teprive!
I dashur mishi im i përveçëm,
gatuar me Frymë e lutje qiellore,
me metafizikën e lashtë aktive të gjumit,
tëhollur në ëndje të fshehta hyjnore,
grirë nga përsosja me kah të dyshimtë,
ngujuar në shpikjen e dhimbës mizore, -
në dhimbën e ëndrrës - përjetë mallkuar
kur sillesh tepri e paplotësuar!