Agron Tufa
Sonet
Kupën e kujtimit tënd, ku ta fsheh e ku ta hedh?
Bëj ta flak e bëj ta thyej, bëj ta lë e më rrëqeth.
Kupa e kujtimit tënd valon shkumë dashurie,
m’u ka ngri si një servis mbushur pije çmendurie.
M’u ka ngri në dorën time ky bardhak i fildishtë,
i hedh zjarrit, zjarri digjet, si në ethe kaltërsisht.
Nuk e pi kujtimin tënd. Kupa le ta pasqyrojë
sonte qiellin lakuriq edhe hënën e pagojë.
Le të rëndet e përlotur përmbi kupën e mallkuar
f’tyra ime ndër reflekse zbehtësisht e vizatuar.
Kupa e kujtimit tënd më s’do mbushet kurrë me ty.
Bëj ta flak e bëj ta thyej, bëj ta pi e dot s’e pi.
Do të rend pra krejt i marrë me servisin e hënuar,
gjersa shkuma nëpër kohë, do jetë tretur, avulluar...