Agron Tufa

albanés

 

Shtëpia e vjetër

1.

Mbi shtëpinë e vjetër janë heqë tjegullat. Ja se si misteri u prish...
Cullak e gafil kapen trarë e kulmakë - gjithë skeleti i drobitur i çatisë;
tash pamja i shëmbëllen një varke antike që stuhia e gorromisi në breg
për ta fiksuar prore në gravurën e një jermi të keq. Kujdes, mos prek
asnjë ashkël, asnjë cungal të nxirë nga tymi dhe bloza e viteve,
derisa një blic vetëtime të shkrepë e të ruajë në qiell frymën e riteve -
kripën e ëndrrave fëminore, fshamjet, mallkimet, lotët e pagëlltitur
që iu mveshën përmallshëm kësaj strehe. Mandej, shpresën e rritur
dhe zemrën e gurtë, që çan shigjetë me majën e mendjes n'arrati,
ndjeje, më parë se shtëpia të shkretet, si varka e Noes në bregun e ri.


2.

Rëra. Struktura e saj kokrrizore: bardhë e zi.
Shtëpia fundoset përditë nga pak,
derisa deti së thelli ngre dallgë e stuhi
sërish ta zbulojë me trarë e kulmakë.

Ndoshta harrakati në shmang kthen të bujë
për një natë të pastrehë... shtegtarit fillikat
do t'i shtiren në ëndrra pa lidhje, rrëmujë
brerjet tona fëminore - ambicie e mëkat.

Ndoshta shpesët e malit, si shpirtra me kapakë
do t'i shmangen furtunës, pa pipëtirë.
Ndoshta UFO-t ngrehin studion te ky prag
sinjalet tokë-qiell duke përtërirë.

Në qoftë kështu, atëherë plazma abstrakte
e ëndrrave tona do t'ringjallet në imazhe dëshire...
Të mposhtur e konfuzë, brenda një nate
bujtësit kozmikë do ikin. Në njëfarë mënyre...

Rëra. Struktura e saj kokrrizore: bardhë e zi.
Vizatimi frotazh s'ka për t'u zbehur kurrë.
Dhe nëse imagjinata ia ngjyros hijet, kjo shtëpi
prore do frymojë kujtimesh, si një gravurë.


3.

Macet shtriqen kutull si thonjëza me bold çative;
harlisen kopshtet t'amështa nektaresh njomështore.
Përhapet shermasheku - vizatim i shpejtë n'fletore
duke përpirë muret anësore të shtëpive.
Streha e vjetër shkreton. Djersin qemer' i bruztë
si balli i një të vdekuri. Veç vesë e ftohtë  në shtalkë...
Po bebëza të zbrazëta dritaresh, si sumbuj t'qelibartë,
ndryjnë brenda ish-sytë tanë - të kapur prore në kurth -
vështrime të habitura - pengje n' balsamim.
Thurima e dendur e pjergullës, si trumbë dallëndyshesh
m'i fsheh përnën gjethnajë...  më lë midis ndërdyshjesh,
pa ia qëlluar dot - kush qe vështrimi im...

© Agron Tufa
De: Gjurma në rrjedhë
Tetovë: Botimet Ditët e Naimit, 2010
Producción de Audio: Haus für Poesie / 2017