Agron Tufa
*** [rrufe rashë]
* * *
rrufe rashë. mes rrotullames së shkrumbit pashë.
dhe thashë: le të na djegë e njëjta flakë
në të njëjtin sfond terri, përshkënditur prej dritës!
le të na fiksojë blici, si një tubë të zjarrtë lulëkuqesh!
le të kridhemi në harrim si prushi brenda kërcurit të errët!
por gëzhoja e asaj kapsolleje prove plasi papritë
me plumbin që mori arratinë nëpër natë...
tash sa vjet, e prapë, ndihet vetëm kuja ime vetmitare
në çorapën e zezë të natës, që ngjitet gjymtyrëve
duke m’i pushtuar ngadalë, por sigurt,
siç di të pushtojë gangrena...