Agron Tufa
DIÇ E PEZULLT HEQ SHPIRT...
rrebeshet e breshërave të majit rinisën...
kërcet butë faqja poroze e dherave kaf.
sumbujt e bardhë e të fortë shkartisën
zhurmën e shkrimit në shaptilograf.
diç e pezullt heq shpirt mbi klaviaturë,
kërkon një shtrofkë të errët në dhomë,
po atë shtrofkë s’ka për ta gjetur kurrë...
përhapet një aromë bukëvaleje e pjekur
në flegrat e mbushura me athtësi gjaku.
ndihem si të isha një televizor i vdekur,
i flakur shtrembër, në skaj të një parku,
por me det të verbër para shtrëngate.
përfytyrimi përvidhet. erë mes hatullash.
qafa e tendosur struket mes shpatullash
sikur ta priste një myll i gatshëm shpate.
një dorë e padukë, me finesë e me sqimë,
gris velin e bardhë të avujve të shregullt.
tonzura e një kodre shfaqet një grimë
dhe zhytet sërish si murgu në mjegull.
nuk breshëron më. të parët, skërfyell,
spikasin qiparisët dhëmbaçë të kreshtës.
mandej, saora, përshkënditëse nën diell,
të dubluara vërshuan vreshtat e vdekjes.