Shah

Është vjeshtë. Venat në mermer
bymehen nga shirat.

Varret e të afërmve të mi,
me vetëm katër gisht kohë midis,
të vënë në radhë
si një varg makinash të bllokuara
në kryqëzim me hekurudhën.

Lufta ka marrë fund. Ajo dorezë farkëtari
që i mbante dikur, si gishtat, të gjithë bashkë
është hedhur, e panevojshme, tej.

Jashtë saj, ata janë thjesht ca të panjohur
që presin vetëm trenin të kalojë
në krahun tjetër të rrugës …

Aroma e dheut
të kujton shtëpinë
ku mungon një orë e varur në mur.

Ua pastroj emrat me kujdes në pllaka
Vitet …, si plagë të vogla në gjunjë
Dashurinë …, që tashmë djeg më pak
se një gjemb trëndafili.

Në të hyrë të varrezës
roja luan shah me veten në kabinë.

© Luljeta Lleshanaku
From: Fëmijet e natyrës
Tirana: ombra GVG, 2006
Audio production: Literaturwerkstatt Berlin, 2013