Luljeta Lleshanaku
Kur dashuria jep një shenjë...
Kur dashuria jep një shenjë...
Ajo futet ne rrjedhën e gjërave me arrogancë,
si heshtja që pason trokitjet e çekiçit të gjyqtarit
gjatë seancës.
Gjithë qenia perkundet, nga puhia me e vogel,
nje are e ardhur gruri
që pret për t’u korrur.
I thua vetes se je e mbrojtur,
se tashmë je vetëm një shpinë
një shpinë e fortë, pa gjoks, pa bark,
pa kërthizë,
(veçanërisht pa kërthizë)
si tavani i qilarit
mbi ushqimet e konservuara për dimër.
Zmbrapsem një moment
e gatshme për t’ia filluar çdo herë nga fillimi
me një paletë te pastër piktori
e një vrimë të errët në mes.
E nis për të disatën herë atë rrugë
fundin e së cilës e njoh mirë,
si prekjen metalike të fishekut, ne xhep,
të cilin, gjatë rrethimit,
ushtari i mirë
e ruan për vete.