Agron Tufa
Këngë dimërore
Tek-tuk merr fund me ujëra e drunj
fytyra jote e thërrmuar ndër valë.
Nga grykat e maleve si me sëpatë
rrëzohen zanoret e një brenge të gjatë.
I shpleksa damarët të pijnë buzë lumit
dhe fundin “s’më deshe” e ngushëlloftë gjumi!
Harrimi punon pa ngjyra në linjë
me një dhimbje bjonde të mpiksur në brinjë.
Me qumësht e dritë përvëlon si rrëshirë
fytyra që buzë s’më dha për të pirë.
Avitet dëbora si shpirt. S’pipëtin.
Nuk derdhem nga got’ e mpirë që rrëzëllin.
Rrotullomë në ëndjen e ngrirë të gotës
o paqe e fytyrës së prapme të tokës!