MISTERI I LUTJEVE

Në familjen time
lutjet bëheshin fshehtas
me zë të ulët, me një hundë të skuqur nën jorgan,
gati mërmëritje,
me një psherëtimë në fillim dhe fund
të hollë, e të pastër si një garzë.

Përreth shtëpisë,
kishte vetëm një palë shkallë për t’u ngjitur
ato të drunjtat, të mbështetura gjithë vitin pas murit,
për riparimin e tjegullave në gusht para shirave.
Në vend të engjëjve,
hipnin e zbritnin burra
që vuanin nga shiatiku.

Ata luteshin duke u shikuar sy më sy me Të,
si në një marrëveshje kryezotësh
duke kërkuar nje shtyrje afati.

“Zot, me jep forcë!” e asgjë më shumë,
se ishin pasardhësit e Esaut,
të bekuar, me të vetmen gjë që mbeti prej Jakobit,
– shpatën.

Në shtëpinë time
lutja ishte një dobësi,
që nuk përflitej kurrë,
si të bërit dashuri.
Dhe njësoj si të bërit dashuri
pasohej nga nata e frikshme e trupit.

© Luljeta Lleshanaku
Aus: Fëmijet e natyrës
Tirana: ombra GVG, 2006
Audioproduktion: Literaturwerkstatt Berlin, 2013