Luljeta Lleshanaku
MESHKUJ
MESHKUJ
Qenia njerëzore është si një gjuhë e vdekur
prej saj mbetet vetëm një shprehje, citim, apo një fjalë e vetme.
Por një baba pa djem është një mutacion;
emri i tij do të qarkulloje nga njëri vesh në tjetrin
përmes një fryme të pastër femërore
i artikuluar si një ëndërr pa konflikt
e vështire për t’u mbajtur mend të nesërmen.
Gjashtë vajza; secila prej lindjeve qe një dështim
si tregtari i arit
që kthehet në shtëpi vetëm me mëndafsh dhe çajëra kurues.
Pa një djalë në familje,
pa një lumë për të derdhur mbeturinat toksike
të zemërimit të tij bardhë e zi.
Pa dikë për të parashikuar luftën në skeletin e kafshëve të shtëpisë
pas darke,
– luftërat, lindjet vdekjet
kur jeta dembeloset në paqe.
Qeliza e tij është një shpellë
me skica naïve prej karboni:
gjahtari kundër bishës, gjahtari kundër natyrës
deri në çastin kur një grua shfaqet afër zjarrit.
Atëherë e tij fuqia zhvendoset nga muskujt
tek sytë
dhe këndi i shigjetës bëhet i paqartë.
Ky është fundi i epokës së akullit
dhe fundi i qartësisë.
Dhe është një sekret që i përthith burrat nga brenda
si Yjet Xhuxha,
duke i transfomuar nga të verdhë, në të bardhë
dhe pastaj … të zinj, një njollë në kozmos.
Pa një djalë për t’ia përcjellë këtë
jo vetë të fshehtën
por artin e vetmisë.